JETA DHE VEPRA ARTISTIKE E AKTORIT TË MADH AVDUSH HASANI

Avdush Hasani u lind në vitin 1950 në Pakashticë të komunës së Besianës ish-Podujevës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, gjimnazin në Besianë ish-Podujevë e në Mitrovicë, kurse studimet për artin dramatik në Prishtinë. Më 1971 u inkuadrua në punë në Teatrin Popullor të Kosovës, bashk me një brez të suksesshëm të artistëve të skenës shqipe, ku punoi deri në vitin 1990, ku pas dhunës së okupatorit serb detyrohet të bëjë jetë egzili në Gjermani . Ndër rolet e para të realizuara, ishte roli i Halilit në shfaqjen “Halili e Hajria” në Besianë (ish Podujevë) më 1973. Në teatër dhe në film, Avdush Hasani realizoi role shumë të suksesshme në shfaqjet “Dasma e Përgjakur”,” Verbërimi i Samsonit”, “Gjërat që s’preken”, “Zogu i diellit”, “Hamleti”, “Konfiteori”, “Vdekja më vjen prej syve të tillë” e tjerë. Avdush Hasani, intepretoi role në teledramat “E shtëna në ajr” dhe e “E kafshoja terrin”, si edhe në dramatizimin televiziv të tregimit “Nën çarr po rrinte vasha”. Rolet në teatër e televizion i hapën rrugën për role në filmat artistik të Kosovës, si në “Gjurmë të bardha”, “Proka”, “Pikniku”, “Njeriu prej dheu”, “Prroi vërshues”, “Era dhe lisi” etj.

Avdush Hasani ishte një aktor i lindur. Ai shquhej për fizikusin e tij, zërin e thellë dhe kulturën e gjerë. Falë Avdush Hsanit ne pamë të gjllë Beselamin e Qosjes, Samsonin e Nolit, Akilin e Euridipit, Muj Klecin e Rr. Dedajt dhe F. Hysajt, Shpend Sokolin e Y. Shkrelit, Dnjollin e Sherkës të Rexhep Qosjes, Pjetër Bogdanin e T. Dervishit etj. Avdushi foli në skenë, atje i tha të gjitha. Foli shqip, vetëm shqip, sepse ishte artist i etnosit, artist me profil total shqiptar. Bëri jetë të pagabuar skenike. Në heshtje ujiti dhe kultivoi edukacionin e vetëdijes kombëtare. Ai kishte orë një hije, një shpirt dhe një format aktori iliro shqiptar. Ishte jokomformist, aktor me vokacion të lindur dhe habitus të rrallë. Artist për Tempullin e Zotit si i tillë ai ndërtoi shpirtin e kombit. Avdush Hasani ishte pasardhës i denjë i Aleksandër Mojsiut i shkëlqyer në Teatrin kombëtar shqiptar të Prishtinës.

Pas shkllazimit të dhunës së okupatorit serb në Kosovës dhe instalimit të sistemit të segregacionit serb në Teatrin e Kosovës, Avdush Hasani u largua nga puna dhe jetoi në egzil në Gjermani. Me 2 janar 1997 në Gjermani vdiq aktori Avdush Hasani. Në marrjen e kumtit të rëndë për vdekjen e aktorit të madh dhe kolegut nga Teatri Popullor i Kosovës, aktori i këtij teatri Dibran Tahiri shprehet: “Do të arrijmë në majë”, – thoshte Avdushi në dramën e Anton Pashkut “Gof” diku në fillim të karierës së tij aktoreske. E tani kaloi në “matanje”, siç do të thoshte Gjeçovi. Në kohën kur shpresonim se do të kthehet nga mërgimi për t’i vënë krahun Dramës Shqiptare, ta ngjallte dhe ta forconte si dikur. Në kohën kur e pritnim të kthehej në familjen e gjerë të aktorëve ku Avdushi duhej dhe respektohej. Për të mbramen herë në skenën tonë shkëlqeu në rolin e Pjetër Bogdanit në dramën “Zhvarrimi i Bogdanit” të Teki Dervishit në regji të Fadil Hysajt. Dhe shkoi kur në Tempullin e Talias tani më dhuna kishte lëshuar rrënjë. Mbase atëherë fillon edhe lëngata e tij. Disa “vjet më parë” ishte sovran në isnkenimin e parë të dramës së Nolit “Verbimi i Samsonit” në regji të Agim Sopit. Kishte pamje impozante në skenë prandaj edhe i “flenin” role të tilla. Për një repertor të tillë të zgjedhur u imponua në hapat e parë në skenë në dramën e Lorkës “Dasma e përgjakur” në regji të A. Gashit. Të kënaqte veshin orkestrina e baritonit të tij – ndërsa në ekran kamera i miklonte fytyrën e tij fisnike. Ende e mbaj mend shtërngimin e dorës në ndarje dhe shkëlqimin e syve blu, thekson në fund aktori Dibran Tahiri. Aktori i njohur i Kosovës Avdush Hasani (46) vdiq pas një sëmundje të rëndë në një spital të Berlinit në Gjermani. Me vdekjen e tij të hershme teatri dhe kultura shqiptare humbën një artist të madh.

Pregaditur nga Sh.Cakiqi